|
Jeta është e çuditshme, plot kthesa dhe udhëkryqe.
Njeriu sapo hyn në të, nuk di nga t’ia filloj. Ai gjendet përpara një bote të re plot kureshtje dhe fantazi. Në këtë botë kaq të bukur, duhet të përballosh çdo vështirësi qoftë e mirë apo e keqe, të cilën jeta na i ofron me kënaqësi, ku njeriu duhet të luftojë për të arritur atë që dëshiron dhe pikërisht për ta mposhtur të keqen me të mirën.
Vërtet jeta është e vështirë, por njeriu me dashurinë dhe shpirtgjerësinë e tij duhet ta bëjë atë sa më të lehtë e të bukur.
Disa thonë se jeta është e lehtë ta jetosh nëse ke një pasuri, por paraja nuk është gjithçka në botë. Ajo që na nevojitet është lumturia dhe dashuria, dhe për t’i arritur këto, në radhë të parë njerëzit duhet të respektojnë veten dhe të tjerët, jo siç bëjnë disa. Disa nuk mund të them, por “shumë” flasin në gjuhën e parasë duke mos e parë rivalitetin në sy. Nuk mendojnë që kjo botë po shkatërrohet, jetë njerëzish po shuhen dita-ditës papritur dhe pakuptuar.
Skamja dhe mjerimi kanë mbuluar kudo botën, kanë rënë mbi mjerimin si një hije e zezë që sjell vetëm fatkeqësi. Njerëzit me pozitë nuk e shohin këtë, por mendojnë si e si të kënaqin veten, sikur populli të mos ekzistonte, sikur e gjitha kjo të ishte thjesht një ëndërr e keqe që atyre iu kalon para syve pa e parë. Ah, sikur të ishte thjesht një ëndërr e keqe!
Shumë njerëz e shijojnë jetën duke qenë kopje e të tjerëve dhe asnjëherë nuk kanë për ta zbuluar bukurinë e të qenit vetvetja. Shoqëria në të cilën jetojmë nuk do ta ndryshojë kurrë pikëpamjen e asaj që është e drejtë. Jemi ende në kohë ta mposhtim presionin për t’u përshtatur me të drejtën.
Brenda pak kohe secili nga ne nuk do të kopjonte tjetrin. Çdo njeri do të kishte interesat dhe persosnalitetin e tij. Secili prej nesh duhet të jetë krenar dhe kryelart për vetveten.
Nëse të gjithë arrijnë t’i realizojnë këto te vetvetja, do ta shohin jetën në një këndvështrim të ri. Çdo njeri është i talentuar, origjinal dhe ka diçka për të shprehur. Por njerëzve nga egoizmi, inati dhe ambicja iu shuan shpresat për të ecur më tej.
Ai njeri që i ka humbur shpresat, nuk i ka mbetur gjë tjetër për të humbur. Nëse të mungon virtyti, atëherë lumturia mbetet imagjinare. Në radhë të parë njeriu duhet të jetë human. Një edukatë e mirë ka më shumë vlerë sesa një pozitë e lartë apo një pasuri. Njeriu më i pasur në botë është ai që e ka zemrën e pastër. Asnjë nuk ka lindur i përkryer, por vjen një ditë kur shpirti i njeriut ka nevojë të çlirohet, t’i thotë mjaft mëkateve që ka bërë me vetëdijë, ndoshta edhe pa dashur. Ai është penduar dhe kjo është një gjë mjaft e mirë e cila na ndihmon që të afrohemi më shumë me Zotin. Të gjithë mund ta bëjmë këtë, kurrë nuk është vonë, sepse jeta është e bukur duhet ta jetojmë atë edhe pse ndonjëherë tregohet mizore dhe e padrejtë me ne.
Pyesim veten pse jeta tregohet kaq e padrejtë duke ditur që ne e kemi vetë në dorë atë? Duhet t’u themi mjaft urrejtjeve dhe padrejtësive që të jetojmë të qetë e të lumtur. Fëmijët e vegjël janë kaq të pafajshëm e të padjallëzuar. Dhe ata kanë të drejtë të rriten në paqe, të jenë të qeshur gjithnjë. Por jeta, mjedisi që i rrethon ua ka mohuar, sepse po rriten dhe edukohen mes padrejtësive. Sa e bukur është bota kur e sheh atë në sytë e fëmiëjve. Janë kaq të mirë e të ëmbël sa kur qajnë ndonjëherë sikur të shkëputet diçka nga zemra. Përse të mos jemi edhe ne kështu?
Çfarë na kushton sikur vetëm një herë t’i harronim të gjitha djallëzitë?
Çdo njeri ka një llambë çudibërëse, zemrën. Zemra është ajo që ka guximin, fal dashurinë, dhimbjen, mirësinë e me anë të saj mund të ndryshojmë çdo gjë.
Do doja që këto mesazhe paqeje t’i zbulonte çdokush në zemrën e tij dhe kështu lumturia, harmonia, dashuria të pushtonte botën. Urrejtja, mëkati, varfëria do të zhdukeshin dhe do të mbeteshin veç një ëndërr e keqe. Sa do të doja që jeta të lulëzonte e bukur dhe e brishtë! Të rinjtë duke i humbur shpresat që të çlirohen nga mjedisi i papërshtatshëm ku jetojnë, përfundojnë si mos më keq. Në këtë moshë kaq të bukur atyre u humbet dëshira për krijimtari të ndryshme. Tek të rinjtë sot ndodhin mosmarrëveshje, sepse nuk ka sinqeritet, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjelltë. Të rinjtë kanë të drejta të barabarta, duhet t’i respektojnë me pastërti kufijtë e secilit dhe pa interesa vetjake.
Në ditët e sotme shoqëria është shumë e rëndësishme. Secili prej nesh ka nevojë për një shok a shoqe që t’ia hapë zemrën, të marrë këshilla dhe të korrigjojë veten kur gabon.
Jeta na vë përpara shumë përgjegjësive, ku çdo njeri duhet t’i zgjidhë problemet në qetësi dhe pa u nxituar, sepse në jetë gjërat e mira bëhen me ngadalë dhe për t’ia arritur qëllimit duhet të mendohesh njëqind herë që të veprosh në mënyrë të drejtë një herë.
Problemet duhet të zgjidhen, nuk duhen lënë pezull, sepse ato lënë gjurmë në të kaluarën e cila sado e bukur apo e hidhur qoftë, të mbetet në kujtesë.
“Jeta është e bukur, jetoje;
është ëndërr, realizoje;
është fat, kërkoje;
është dashuri, shijoje;
është mister, zbuloje;
është tradhëti, harroje;
është ferr, luftoje.”
|
|